Banka e Shqipërisë licencon zyrtarisht degën e bankës turke Ziraat
Banka e Shqipërisë ka licencuar zyrtarisht degën shqiptare të bankës shtetërore turke Ziraat, duke i hapur rrugë nisjes së aktivitetit bankar në tregun shqiptar.

Miratohet licenca për aktivitet bankar në Shqipëri
Banka e Shqipërisë njoftoi se ka miratuar licencën për ushtrimin e aktivitetit bankar dhe financiar të “Degës së Bankës Turkiye Cumhuriyeti Ziraat Bankasi A.S., Albania”. Edhe pse vendimi u publikua vetëm sot, sipas njoftimit zyrtar ai është marrë në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të datës 6 maj 2026.
Miratimi paraprak për licencimin e degës së Ziraat Bank ishte dhënë që në gusht të vitit të kaluar, me vendimin nr. 38/2025 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Sipas Bankës së Shqipërisë, aplikimi i degës shqiptare të Ziraat është shqyrtuar në përputhje me ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe rregulloren për licencimin dhe ushtrimin e aktivitetit të bankave dhe degëve të bankave të huaja në vend.
Pas këtij vendimi, dega e Ziraat Bank në Shqipëri do të mund të ushtrojë aktivitet bankar dhe financiar sipas kushteve të përcaktuara në licencën e miratuar nga Banka e Shqipërisë.
Procesi i licencimit në dy faza
Sipas legjislacionit shqiptar, licencimi i një banke të huaj zhvillohet në dy faza: fillimisht jepet miratimi paraprak dhe më pas licenca përfundimtare për nisjen e aktivitetit.
Ligji përcakton se subjekti që merr miratimin paraprak duhet të plotësojë brenda 12 muajve të gjitha kushtet teknike, financiare dhe organizative për të nisur aktivitetin bankar në Shqipëri. Këto përfshijnë derdhjen e kapitalit të kërkuar, punësimin e stafit, krijimin e infrastrukturës teknike dhe sigurimin e ambienteve ku do të ushtrohet aktiviteti bankar.
Ziraat, banka më e madhe në Turqi
Ziraat Bank është një bankë me kapital shtetëror, ku 100 për qind e aksioneve zotërohen nga Fondi Turk i Pasurisë, një fond publik në pronësi të shtetit turk. Banka ka një histori që daton që nga viti 1863, fillimisht si fond kooperativ për financimin e bujqësisë në periudhën osmane, ndërsa në vitin 1888 u shndërrua zyrtarisht në bankë me emrin Ziraat.
Sot ajo konsiderohet banka më e madhe në Turqi, duke mbajtur rreth 18 për qind të tregut bankar turk. Në fund të vitit 2025, Ziraat raportonte asete totale prej rreth 189 miliardë dollarësh, ndërsa në nivel grupi asetet arrinin në rreth 207 miliardë dollarë. Ziraat operon përmes bankave të kontrolluara prej saj në vende si Gjermania, Rusia, Kazakistani, Uzbekistani, Gjeorgjia, Azerbajxhani, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova.
Banka është e pranishme me degë edhe në Britaninë e Madhe, Irak, Greqi, Bullgari, Arabinë Saudite, Qipron Turke dhe Bahrein, ndërsa ka zyra përfaqësie në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipt.
Banka e dytë e licencuar këtë vit
Dega e Ziraat Bank është banka e dytë që licencohet këtë vit nga Banka e Shqipërisë, pas licencimit të Bankës Jet në muajin mars 2026.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)